Të kesh dikë ku mund të mbështetesh në situata të vështira gjatë jetës, është diçka e paçmueshme. Siç thotë edhe një shprehje e vjetër, një mik i mirë duket në ditë të vështirë.
Kjo thënie u jep kuptim lidhjeve të veçanta miqësore që veçanërisht femrat krijojnë mes tyre.
Të brishta mjaftueshëm për të qenë joshëse, por të forta sa duhet për të përballur dhe luftuar vështirësitë, gratë mund të jenë një mike e besueshme dhe e fortë. Mjafton të dish të fitosh dhe të japësh shpirtin në një miqësi të tillë. Është e sigurt që femrat nuk mund të kenë shumë shoqe të ngushta, por kur ato e konsiderojnë një të tillë mund të zgjasë përjetë. Miqësia mes femrave është vërtet një marrëdhënie speciale që nuk ndan vetëm dëshirën e mirë për të kaluar kohë bashkë, por është një lidhje e fortë që të bën të investosh shpirtin brenda saj. Ato dinë të jenë besnike, këshilluese të mira në momente kritike, por edhe forca ku mund të besosh zgjidhjen e momentit kritik.
“Shtëpiake të Dëshpëruara” është absolutisht një nga trillet më të bukura të prodhimeve kinematografike dhe absolutisht modeli më perfekt i miqësisë së pastër mes shoqeve. Lineta, Gabi, Brija dhe Suzana edhe gjatë këtij sezoni televiziv kanë shpalosur marrëdhënien intime mes tyre dhe sakrificat që kanë kaluar për të mos tradhëtuar njëra-tjetrën.
Model i bukur për tu ndjekur, por jo i pavërtetë. Jo kaq e dramatizuar dhe aspak e famshme, por një model për tu ndjekur është edhe miqësia e 4 vajzave nga Tirana, Irsës, Boranës, Dorinës dhe Orianës. Ato nuk i ka bërë bashkë jetesa në të njëjtën lagje, por vendi i punës. Prej tre vjetësh kolege, tashmë e kanë tejkaluar marrëdhënien formale dhe sot janë mikesha të betuara për njëra-tjetrën.
Top Channel