Egjipt, gjykata anullon mbajtjen e zgjedhjeve

06/03/2013 21:20

Gjykata Administrative e Egjiptit pezulloi zgjedhjet e përgjithshme, në plan për t’u zhvilluar muajin e ardhshëm, në një lëvizje që thellon më tej krizën politike në vend.

Në vendimin e saj, gjykata argumentoi se ligji zgjedhor duhet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë Kushtetuese, për të parë nëse kërkesa e zgjedhjeve të parakohshme është kushtetuese, në fornën që ishte parashtruar.

Përballë krizës së thellë politike në vend, presidenti Morsi deklaroi mbajtje zgjedhjesh duke nisur nga 22 prilli, zgjedhje që do të kalonin në katër faza përgjatë dy muajve.

Grupimet kryesore të opozitës u shprehën për bojkotin e zgjedhjeve, duke kërkuar ndryshimin  e ligjit zgjedhor, përpara zgjedhjeve.

Sipas opozitës, mënyra e përcaktuar e votimit është bërë për të favorizuar mazhorancën islamike të Morsit.

Situata në Egjipt mbetet delikate që prej shkurtit 2011, kur u rrëzua ish-diktatori Mubarak. Zgjedhja e presidentit Morsi u besua se do të qetësonte situatën, por një seri reformash me karakter islamik, kanë ngjallur protesta të mëdha popullore, duke ndarë 84 milionë egjiptianët në dy vija të kundërta dhe konfliktuese midis tyre.

Top Channel