Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar subjektin shqiptar në qeverinë e Maqedonisë, BDI, se ka filluar të relativizojë fajësinë për dhunën ndaj shqitparëve.

Sipas PDSH-së, partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, në këtë mënyrë po barazon shqiptarët me dhunuesit e tyre dhe po tenton të kalojë përgjegjësinë për incidentet, nga vetja tek të tjerët.

“Kur pritej një reagim nga ana e BDI-së dhe Ali Ahmetit në mbrojtje të shqiptarëve, ndodhi krejt e kundërta. Ata filluan me relativizimin e fajësisë, barazimin e shqiptarëve me zullumqarët dhe më pas bartjen e përgjegjësisë nga vetja tek të tjerët”, ka deklaruar Bekim Fazliu, shef i shtabit zgjedhor të PDSH-së.

“Ne si PDSH, të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës dhe me qëllimin që situata të mos përkeqësohet më shumë, ditët e kaluara zgjodhëm të mos prononcoheshim dhe të mos i përgjigjeshim pafytyrësisë së BDI-së, e cila u manifestua herë me komunikata, herë ne trajtën e një “profesionisti” të policisë, herë nga zv/ministri i Policisë, një “profesionist” me përvojë dhjetravjeçare në polici dhe më e fundit nga ministri i ekologjisë, Abdilaqim Ademi”, ka vijuar Fazliu.

Këto akuza vijnë një ditë pasi shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Abdilaqim Ademi, akuzoi parti të caktuara rivale se  po përgatisin skenarë për provokimin e incidenteve për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Top Channel