Që prej përfundimit të luftës, Xhevat Imeri është njëri nga tre ciceronët në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Këtë punë, thotë se e bënë me tërë shpirtin, ndërsa nuk mban mend se sa vizitorëve mund t’iu ketë rrëfyer ngjarjen e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur Adem Jashari me familjen e tij i bënë rezistencë ushtrisë serbe.

Ciceroni Imeri thotë se, duke mos llogaritur vizitorët në këto data, me miliona kanë ardhur në këtë vend, që prej përfundimit të luftës.

Mes vizitorëve nuk mungojnë asnjëherë krerët e shtetit, të politikës dhe më gjerë. Shumë prej tyre, pasi vendosin kurora me lule, e kanë kthyer në ritual vizitën në kullën e familjes, e cila i mban dyert e hapura për këdo.

Edhe kësaj here, si presidentja, ashtu dhe kryeministri, nuk u ndalën në kullë çka nuk ka kaluar pa rënë në sy. Burime nga Presidenca e Kosovës shpjegojnë se kjo cështje është e rregulluar me protokoll shtetëror, ku parashikohen vetëm homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Interesimit të gazetarëve mbi këtë cështje, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murati, iu përgjigj se kjo nuk ia ka prishur aspak epopenë e UÇK-së, pasi që hijeshi varrezave në Prekaz, sipas tij, gjithmonë u ka dhënë populli.

“Mund të mos e ndiejnë të nevojshme për të qenë prezent në familjen tonë dhe ajo është e drejtë e tyre. Ne nuk mund t’i përzihemi askujt, se a do të vijë apo jo. Për ne ka pasur çdo herë rëndësi besimi te krijuesi dhe populli. Sepse kanë qenë këto dy forca, që na kanë dhënë shpresë për të menduar dhe për të jetuar”, u shpreh Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari.

Pasi ka pritur e përcjellur shumë vizitorë, të mërkurën, Murati ka falënderuar të gjithë qytetarët, të cilët, siç ka thënë ai, për 15 vite u janë gjendur pranë, duke iu dhënë forcë për të vazhduar përpara.

Top Channel