Britania: Armë për rebelët sirianë

06/03/2013 00:00

Britania është vendi i parë që i përgjigjet pozitivisht thirrjes së opozitës siriane për armë në luftën e saj kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Në një fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve të parlamentit britanik, Ministri i Jashtëm, William Hague tha se Londra do të mbështesë me armë të lehta, artileri, mjete luftarake të blinduara dhe armë të tjera, jo të shkatërrimit në masë që do të shërbejnë për mbrojtjen e jetës së civilëve.

Hague i quajti sanksionet e OKB-së ndaj Sirisë si një dështim total ndërsa kërkoi më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar ndaj Bashar al-Assad për t’i dhënë fund konfliktit. Ai apeloi për bashkëpunim me Rusinë për gjetjen e një zgjidhje.

Kërkesa për armë u lëshua pak ditë më parë nga një ndër liderët politikë të opozitës siriane. Falenderojmë komunitetin ndërkombëtar për ndihmat në ushqime dhe medikamente, tha ai, për këto nuk mjaftojnë për të mposhtur ushtrinë e Bashar al-Assad.

Ndërkohë, OKB në një raport të fundit thotë se kriza humanitare e të zhvendosurve të konfliktit është përkeqësuar. Numri i sirianëve që kanë braktisur vendin e tyre ka prekur 1 milion, 2 milion të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa të vrarët përllogariten në më shumë se 70 mijë tashmë.

Top Channel