Brennan, një hap larg emërimit drejtor i CIA

06/03/2013 01:00

Një komitet i Senatit amerikan ka aprovuar kandidaturën e presidentit Barack Obama për postin e drejtorit të CIA-s, John Brennan.

Paneli veproi menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë ofroi memot sekrete ligjore mbi përdorimin e dronëve (avionë të telekomanduar) për të vrarë shtetas amerikanë jashtë territorit të tyre, në operacionet anti-militante.

Anëtarët e Komitetit të Inteligjencës në Senat kishin kërcënuar se do të bllokonin kandidaturën e Brennan, nëse ata nuk do të kishin mundësi të shihnin memot në fjalë.

Nominimi i Brennan do të shkojë tashmë për votim në Senat, ku pritet të fitojë konfirmimin. Komiteti i Inteligjencës së Senatit i dha “ok”-in pas votimit 12 pro dhe 3 kundër gjatë ditës së martë, në një seancë me dyer të mbyllura.

Brennan shërben aktualisht si këshilltari kryesor anti-terrorizëm i Obama-s. Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë gjeneralin David Petraeus.

“Jam i lumtur që administrata na dha mundësinë të shohim informacionet e kërkuara”, tha senatorja Dianne Feinstein, një demokrate e Kalifornisë dhe kryetare e Komitetit të Inteligjencës, në një deklaratë më të hershme, duke pranuar dhënien e memove ligjore nga Shtëpia e Bardhë mbi programet e dronëve.

“Është e rëndësishme për komitetin të bëjë detyrën e tij, teksa po i hap kështu rrugën konfirmimit të John Brennan, për të marrë rolin e drejtorit të CIA-s”.

Administrata e Obama-s i kishte dhënë komitetit, vetëm 2 nga 11 opinionet ligjore të Departamentit të Drejtësisë, disa orë para dëgjimit të kandidatit Brennan më 7 shkurt. Paneli mori gjithashtu edhe 2 të tjera të domosdoshme.

Senatorët kishin argumentuar se nuk do të mund të vazhdonin me veprimet e tyre, pa parë të gjitha opinionet në lidhje me vrasjen e qytetarëve amerikanë jashtë kufijve, nga dronët.

Top Channel