Presidenti çek mohon akuzën e tradhëtisë

05/03/2013 19:05

Presidenti në largim i Republikës Çeke, Vaclav Klaus, e konsideroi si “tërësisht të pabazuar” dhe “fyese” akuzën për tradhëti kombëtare që i ka ngritur drejtësia e vendit.

Klaus, i cili konsumoi dy mandatet e tij nga 2003-13 dhe largohet nga detyra të enjten pasi nuk i lejohej të rikandidonte, dyshohet se shpalli një amnisti të përgjithshme në fund të vitit të shkuar, me qëllim që të pezullonte ndjekjen penale për korrupsion për disa prej polikanëve dhe funksionarëve të lartë të vendit të afërt me qarqet e tij.

Ndërsa një ngjarje e tillë përbën në thelb abuzim me detyrën, në bazë të legjislacionit çek, konsiderohet si një “tradhëti e lartë” nëse kryehet prej kreut të shtetit.

Ditën e hënë, Senati kaloi kërkesën e autoriteteve për të vazhduar hetimin dhe menjëherë pasi të lërë detyrën, Klaus do të shpjegojë veprimet e tij përpara një trupe të Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalën e tij, nga Kështjella e Pragës, 71-vjeçari Klaus e konsideroi vendimin e Senatit si një tentativë më shumë, në fushatën e gjatë të ndërmarrë për diskretitimin e figurës së tij publike.

Tradhëtia kombëtare është një prej akuzave më të rënda në legjislacionin e çdo shteti dhe në kodin penal shqiptar e atë çek është e dënueshme deri me burgim të përjetshëm.

I njohur per pikepamjet e tij euroskeptike dhe kundershtimin e pavaresise se Kosoves, Klaus u zgjodh president ne vitin 2003, por largohet të enjten, pasi mandati i tij i dytë perfundon dhe ne zgjedhjet e 11-12 janarit 2013, u zgjodh si pasardhes i tij social-demokrati Milos Zeman.

Top Channel