Dashuria për natyrën dhe mbrojtjen e specieve e ka shtyrë Ocean Ramseyn në kufijtë e të paimagjinueshmes.
Një ish-modele dhe zhytëse, 27-vjeçarja ka zgjedhur të ndërrojë jetë dhe të notojë përkrah peshkaqenëve, për të treguar se shumë prej nesh kanë një mendim të gabuar duke i konsideruar peshkaqenët si vrasës të pamëshirshëm.
Ramsey, në një intervistë për “Daily Mail”, krenohet se ka notuar përkrah 32 lloj peshkaqenësh dhe se ka “kalëruar” një peshkaqen të bardhë 5 metra të gjatë, një prej specieve të konsideruara si më të agresivet ndaj njeriut.
”Është e vërtetë se ndonjëherë peshkaqenët sulmojnë, por vetëm atëherë kur ngatërrojnë një njeri me një pre të zakonshme, siç mund të jetë një fokë. Megjithatë, peshkaqenët nuk janë aspak ata vrasësit e tmerrshëm që pasqyrojnë shumë filma rreth tyre”, deklaroi amerikania Ramsey.
”Ndihem me shumë fat që kam kaluar disa prej momenteve më të mira të jetës sime përkrah peshkaqenëve të bardhë. Së fundmi, realizova notin tim të tretë përkrah tyre”, shtoi ajo.
Top Channel