Meksikë, vritet gazetari i mediave online

05/03/2013 04:50

Një i armatosur ka qëlluar për vdekje një gazetar të mediave online, teksa darkonte në një stendë në qytetin e Ojinaga-s, pranë kufirit me Teksasin, bënë të ditur autoritetet amerikane të hënën.

Agresorët vranë Jaime Gonzalez Dominguez mbrëmjen e së dielës, në një qytet pranë kufirit me Presidio, Teksas, njoftoi edhe zëdhënësi i Prokurorisë, Carlos Gonzalez.

Ky i fundit bëri të ditur se autoritetet nuk kanë përcaktuar ende një motiv për vrasjen, ndërkohë që nuk dihet nëse Gonzalez Dominguez ka marrë kërcënime më parë.

Viktima kishte publikuar një lajm në faqen e internetit të titulluar Ojinaga Noticias, që mbulonte informacione nga sportet vendase tek edukimi.

Faqja e internetit nuk kishte shfaqur ndonjë raport të rëndësishëm mbi krimin apo trafikimin e drogës gjatë së hënës, kur lajmi kryesor ishte rreth vrasjes së një gazetari 38-vjeçar, i cili u qëllua me të paktën 18 plumba.

Agresori i vodhi kamerën Gonzalez Dominguez, raportonte historia e publikuar, e cila shtonte se një grua, që e shoqëronte viktimën, nuk ishte plagosur. “Ky sulm ndaj gazetarëve është një turp i vërtetë”, thuhej në artikull.

Uebsajti shënoi kështu historinë e fundit të publikuar dhe vetëm pak minuta më vonë u mbyll. Shoqata e Gazetarëve të Ciudad Juarez, një tjetër qytet kufitar në shtetin e Chihuahua, kërkoi një hetim të plotë e të shpejtë.

“Chihuahua nuk mund të jetë më një nga shtetet, ku praktikimi i gazetarisë të përbëjë një rrezik”, deklaroi shoqata në një njoftim.

Vrasja vjen disa ditë përpara se Shoqata e Shtypit Inter-Amerikan të takohet në qytetin qendror të Meksikës, Puebla. Ky grup ka shprehur disa herë shqetësimin për rrezikun, me të cilin përballen gazetarët në këtë vend.

Mbrojtësit e medias nuk e cilësojnë më Meksikën si një nga kombet më të rrezikshme për reporterët, por në korrik, një prokuror special për krimet ndaj reporterët tha se 67 gazetarë ishin vrarë dhe 14 ishin zhdukur në Meksikë, që prej vitit 2006.

Top Channel