Itali, digjet Qyteti i Shkencës

05/03/2013 00:00

Në Napoli të Italisë është shkrumbuar pothuajse i tëri Qyteti i
Shkencës, siç njihet ndryshe muzeu interaktiv, i konsideruar si një ndër
atraksionet kulturore të qytetit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, gjithësej janë djegur gjashtë ndërtesa të kompleksit, që më parë ishte vendosur nën sekuestro nga hetuesia.

Autoritetet italiane deklarojnë se kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje mbrëmjen e së hënës, flakët ishin përhapur në të gjithë pjesën muzeore, nga ana e detit, me përjashtim të teatrit.

Ndërsa mëngjesin e së martës në vendin e ngjarjes mbërriti policia shkencore dhe njësia hetimore kundër zjarrit, pjesë e departamentit të zjarrfikësve.

Fronti masiv i zjarrit, i gjatë mbi 100 metra, ka shkatërruar strukturën e ndërtesës në Banjoli. Për fat të mirë, të hënave, gjatë sezonit dimëror, struktura është e mbyllur për publikun dhe autoritetet për momentin deklarojnë se nuk ka pasur persona të lënduar.

Jashtë muzeut janë mbledhur pothuajse 160 punëtorët e institutit, të shqetësuar për të ardhmen e tyre profesionale. Zona e shkatërruar nga flakët është rreth 12 mijë metra katrorë, konkretisht e tërë qendra, me përjashtim të teatrit, një strukturë kjo e ndarë.

I tërë qyteti i Napolit është në shok. Kryetari i bashkisë, Luigi de Magistris nuk e ka përjashtuar pistën kriminale të ngjarjes. “Më duket se prapa flakëve fshihet një dorë kriminale. Megjithatë, duhet të presim hetimet e prokurorisë”, ka thënë De Magistris.

Ndaj ngjarjes ka reaguar edhe shkrimtari i njohur Roberto Saviano, i cili ka mbështetur hipotezën e kryetarit të bashkisë. “Mesa duket në Napoli s’është e thënë që gjërat e mira të mbijetojnë. Prej kohësh klanet duan ta betonojnë Banjolën. Flakët në Qytetin e Shkencës janë dështimi i përpjekjeve për një Napoli ndryshe. Ndihem prej hiri. Kocka prej hiri, mendime prej hiri, zemër prej hiri. Ashtu si vetë Napoli, që sot është prej hiri”, është shprehur Saviano. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA