Karvanët e partive kryesore të shqiptarëve në Maqedoni, ditën e parë të fushatës kanë ndaluar në Tetovë.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ftoi tetovarët t’i japin edhe një mandat kreut aktual të Tetovës, Sadi Bexheti, i cili do të vazhdojë projektin e tij për një të ardhme më të mirë për Tetovën.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim politikën drejtuese të Sadi Bexhetit, që ushtron në institucion. Ai nuk është marrë më gjëra të vogla, të kundërveprojë ndaj njerëzve që janë me një parti tjetër, të ndryshojë udhëheqës që janë me një parti tjetër, apo t’u çojë inspeksionin pse janë me një parti tjetër, ne sërish do të vazhdojmë t’i trajtojmë shqiptarët njësoj”, u shpreh Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, para simpatizantëve të partisë së tij, tha se Tetova ka nevojë për ndryshime. Sipas Ahmetit, kandidatja e BDI-së, znj. Teuta Arifi, duhet të udhëheqë Tetovën në katër vitet e ardhshme.

“Më 24 mars të votohet përkushtimi i kandidatit tonë dhe nga kjo sallë të gjithë militojmë e vigjilojmë, edhe ata që janë në dilemë le të kthehen në rrugë të mbarë, rruga e mbarë është te numri 17”, tha Ali Ahmeti.

Edhe në kampin maqedonas, partitë kanë nisur me prezantimin e kandidatëve për kryetarët komunalë. Pavarësisht rivalitetit të madh, partia e Gruevskit dhe ajo e Cërvenkovskit kanë paralajmëruar bashkëpunim për në komunat e Kërçovës dhe Strugës, për të mos lejuar fitoren e kandidatëve shqiptarë në  këto dy komuna.

Top Channel