Një aksion në shkallë të gjërë u ndërmor mbrëmjen e së hënës dhe paraditen e së martës nga policia shqiptare në kryeqytet.

Forcat të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivat policorë të komisariateve të kryeqytetit, për 14 orë me radhë ndërmorën një aksion ku ndaluan 82 persona, për pjesën më të madhe të të cilëve nisën procedimet penale.

Policia njoftoi se bllokoi 187 automjete për dokumentacion të parregullt, përdorim të xhamave të erret, si edhe disa që figuronin të vjedhura. Ndërkohë që nga kontrollet e ushtruara janë ndaluar disa persona të cilëve iu gjet lëndë narkotike, kryesisht e llojit marijuana.

U kapën gjithashtu dhjetë armë zjarri të llojeve të ndryshme, si shotgun, çifte, pistoletë gjatë kontrollit të personave.

“Përgjatë 24 orëve të fundit strukturat e Policisë së Kryeqytetit deri më tani, kanë bllokuar 187 automjete për mangësi në dokumentacion, janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve të ndryshme shotgan, çifte, pistoleta TT  si 10 armë të ftohta pa leje. Ky operacion do të vazhdojë në ditët në vijim, mbi dokumentimin ligjor të veprimeve të kundraligjshme të personave që kapen me armë zjarri pa leje, si dhe atyre personave që qarkullojnë me automjete pa targa, me targa të huaja që u ka kaluar afati, me fenelinë policie, tabela dore policie, xhama të zinj si dhe pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor”, deklaroi zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini.

Aksioni i policisë vjen në një kohë të akuzave të opozitës për rritje të krimit në vend, si edhe për situatë të pakontrolluar nga uniformat blu.

Top Channel