Burg bankierëve afganë, abuzuan me 900 mln $

05/03/2013 00:00

Dy ish-drejtorë të Bankës së Kabulit, në Afganistan, janë dënuar me nga 5 vjet burg për një shkelje multimiliona dollarëshe që për pak shkaktoi falimentimin e ekonomisë së vendit në vitin 2010.

Themeluesi dhe njëkohësisht ish-drejtuesi i bankës, Sherkhan Farnood dhe ish-administratori Khalilulla Ferozi janë gjykuar në një gjykatë të posaçme.

Zbulimet për korrupsionin masiv çuan në një hetim të bankës në vitin 2010. Donatorët e huaj shprehën shqetësimin e tyre se falimentimi i institucionit do të mund të çonte në rrënimin e ekonomisë së brishtë afgane.

Banka në fjalë menaxhonte shumicën e pagave për punonjësit e shtetit, përfshirë rrogat për policët dhe mësuesit.

Një raport nga një auditor i pavarur i publikuar në nëntor të vitit 2012 tregonte se shumica e huave të bankës, rreth 900 milionë dollarë, u ishin dhënë vetëm 19 personave dhe kompanive.

Ndërsa një hetim i zyrës afgane anti-korrupsion deklaroi se 467 milionë dollarë në formë huaje ishin dhënë pa garancitë e duhura. Dy të dënuarit kanë mundësi të apelojnë vendimin, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Top Channel