Kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” ka hapur dyert për të gjithë qytetarët, me rastin e përvjetorit të 15-te të rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Ceremonia ushtarake në kujtim të komandantit legjedar dhe gjithë dëshmorëve të kombit nisi më rreshtimin e njësiteve të forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se falë sakrificës së shqiptarëve të Kosovës, 15 vjet më parë, duke paguar një çmim të lartë jetësh e përpjekjesh, Kosova ndërroi rrjedhën e historisë së saj.

Duke iu drejtuar pjestarëve të FSK-së, kryeministri Thaçi shtoi se ata janë dëshmi e përkushtimit institucional për përspektivën euro-atlantike.

”Të gjithë shqiptarët janë çlirimtarë. Të gjithë u bashkuan në frymën dhe filozofinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK bashkoi të gjithë kudo që ishin, ndaj sot të gjithë përulemi për sakrificën e qytetarëve shqiptarë për lirinë e Kosovës. 15 vjet pas epopesë së UÇK, kemi shënuar arritje të pamohuershme, ndërsa kemi shumë për të bërë ende”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Pjese e këtij manifestimi ishin edhe ish-ushtarakë nga Shqiperia, të cilët kishin marrë pjesë në stërvitjen ushtarake të grupit te parë të djemve nga Kosova në vitin 1991, e që pak vite më vonë do t’i drejtonin armët kundër pushtuesit serb.

Grupi i parë sipas kolonelit të ushtrisë shqiptare, Hysen Imeri, u stërvit në fshatin Surrel në Rrethin e Tiranës. Pjesë e grupit, përveç Adem Jasharit ishte edhe Zahir Pajaziti.

”Në vitin 1991, me urdhëresë të komandës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, morëm për detyrë të stërvisim një grup nga djemtë e Kosovës dhe konkretisht erdhën në tetor-nëntor 150 djem kosovarë, plus 100 të tjerë herën e dytë. Ishte fjala të përgatisnim djemtë e Kosovës, për një luftë të vërtetë dhe heroike për atdheun. Ademin e kishim komandant të njërit grup dhe Zahirin, komandant skuadre në një tjetër”, theksoi Imeri.

Krahas manifestimit qendror në kazermën e FSK-së, politikanë dhe qytetarë bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

”Arritjet kombëtare të popullit tonë vijnë prej dëshmorëve dhe martitëve tanë. Ndërsa të gjithë zbritjet, i kemi prej qeveritarëve dhe politikanëve të paaftë e të korruptuar”, tha drejtuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Nga ana e tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i “AAK”-së, shtoi: “Përulem me respekt për të gjithë sakrificën për liri, duke premtuar se do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në këtë rrugë”.

Manifestimi “Epopeja e UÇK”-së do të vazhdojë edhe për dy ditë me aktivitete të tjera.

Tradita vazhdon edhe këtë herë që me 7 mars duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj mbahet aktiviteti “ Nata e Zjarreve”, ku do të ndizën flakadanë të zjarreve në nderim të gjithë dëshmorëve të lirisë.

Top Channel