Zvicra do të jetë vendi i parë në Europë që do t’i vendosë kontrolle strikte rrogave të larta të drejtorëve të kompanive të mëdha. Referendumi i propozuar nga deputeti konservator Tomas Minder u mbështet nga thuajse 68 % e votuesve zvicerianë, e thënë më thjeshtë u aprovua në 26 kantonet.
Në total, 1.6 milionë votuan “pro” ndërsa 762 mijë kundër. Humbjet prej miliarda dollarësh nga banka zviceriane UBS dhe mijëra shkurtime në kompaninë farmaceutike “Novartis” shkaktuan indinjatë dhe revoltë në Zvicër, ndërsa rrogat e larta dhe bonuset për drejtuesit vazhduan të jenë të pandryshueshme.
Aksionerët do të kenë të drejtën e vetos mbi pagat dhe drejtuesit e kompanive që kundërshtojnë rregullin mund të dënohen me burg. Inisiativa që njihet si “macja e majme” do të shkruhet në Kushtetutën zviceriane dhe do të zbatohet në të gjitha kompanitë e vendit të listuara në bursë.
Grupet e biznesit argumentuan se kjo do të dëmtojë konkurrueshmërinë, por sipas analistëve, zvicerianët e thjeshtë janë të shqetësuar për hendekun e madh të krijuar mes të pasurve dhe të varfërve.
Top Channel