Mbretëresha Elizabeth lë spitalin

04/03/2013 21:10

Mbretëresha Elisabeth II ka lënë spitalin King Edward VII pas rreth 24 orësh nga shtrimi i saj ditën e diel, si pasojë e disa shqetësimeve shëndetësore.

Ajo ka dalë nga spitali e vetme, pa qenë e ndihmuar dhe ka qeshur, e veshur me një pallto të kuqe dhe me çantën në krah.

As bashkëshorti i saj dhe as anëtarë të tjerë të familjes mbretërore nuk kanë qenë të pranishëm kur ajo ka lënë qendrën mjekësore.

Monarkja ka përshëndetur stafin e spitalit dhe më pas ka hipur në makinë për t’u drejtuar për në Buckingham Palace, jo në kështjellën Windsor, siç u tha në fillim.

Angazhimet e kësaj jave mbeten të anuluara dhe sovrania duhet të kalojë një periudhë pushimi në pallatin e saj, bëjnë të ditur mediat britanike.

Herën e fundit që mbretëresha ishte shtruar në spital ka qenë 10 vite më parë, për shkak të një operacioni të lehtë në gju.

Lajmi i sëmundjes së saj u bë i ditur që natën e së premtes, kur ajo u detyrua të anulonte një udhëtim për në Swansea të Uellsit, ku do të mbante një ceremoni ushtarake.

Gastroenteriti, shqetësimi që pati mbretëresha, shkakton inflamacion të mukozës së stomakut dhe të zorrëve. Infeksioni mund të transmetohet përmes kontaktit me një person të infektuar, apo nga ushqimi dhe uji i infektuar. Simptomat mund të përfshijnë të vjella, temperaturë dhe dhimbje stomaku.

Top Channel