Zonja Joëlle Vachter është emëruar zëvendësshefe e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe ka filluar detyrën që prej së hënës.

Vachter, franceze me gradë kolonele, me përgatitje arsimore në drejtësi dhe administratë publike, ka një karrierë të gjatë profesionale në policinë dhe ushtrinë franceze.

Para ardhjes në EULEX, Vachter ishte drejtoreshë e Zyrës për Menaxhim të Krizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Francës.

Zëvendësshefja e re e EULEX-it ka më shumë se 20 vite përvojë në policinë franceze dhe ka shërbyer në Francë, në Shqipëri si pjesë e Elementit Këshillëdhënës Policor Shumëkombësh, si dhe në Kosovë si pjesë e KFOR-it.

Gjatë 12 viteve të përvojës së saj, Vachter ka qenë e postuar në Gjermani dhe Bregun e Fildishtë. Po ashtu, ajo ka punuar për tri vite në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara si oficere përgjegjëse për dërgimin e Njësive Policore të Specializuara në Kosovë dhe Timorin Lindor.

Top Channel