Biden: Irani, Obama nuk tallet

04/03/2013 20:50

“Presidenti amerikan nuk mund të bëjë bllof dhe nuk e bën këtë gjë”. Janë këto fjalët e shqiptuara të hënën nga zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden në konferencën vjetore të Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike, lobi më i madh izraelit në SHBA.

Biden ka sqaruar se, kur Barack Obama deklaron se do të bëjë gjithçka për të mos lejuar Iranin të pajiset me bombën atomike, ai nuk bën shaka.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të bëjnë luftë dhe bisedimet diplomatike mbeten rruga që ato do të ndjekin për të negociuar programin kontrovers iranian. Por megjithatë, të gjitha opsionet, përfshirë atë të forcës ushtarake, mbeten në tryezë”, ka thënë Biden.

Duke folur për Izraelin, numri dy i Shtëpisë së Bardhë ka ritheksuar se legjitimiteti i Izraelit për Shtetet e Bashkuara është i panegociueshëm dhe se programi atomik iranian vë në rrezik atë dhe gjithë botën.

Në javët e fundit ishte vetë Biden që ofroi për herë të parë negociata direkte mes SHBA dhe Iranit, por lideri suprem i këtij të fundit, ajatollahu Ali Khamenei e bllokoi opsionin.

“Dritarja e mundësisë për një zgjidhje diplomatike nuk mund të qëndrojë e hapur në pafundësi”, ka thënë nga ana tjetër sekretari i Shtetit, John Kerry nga Arabia Saudite.

Top Channel