Edhe pse për restaurimin e muzeut të Gjirokastrës janë shpenzuar 500 mijë euro, gjendja në këtë muze të inauguruar pak muaj më parë është e mjerueshme.

Vetë drejtori i Institutit të Momumenteve, Apollon Baçe, ka denoncuar gjendjen skandaloze të këtij muzeu të saporestauruar pa leje ku tarraca pikon, nuk funksionon sistemi i ndriçimit dhe në vend të objekteve të Enver Hoxhës, ka vetëm ekspozita fotografish.

“Gjendja e tij është e keqe. Pikon kudo dhe nuk mund të ndezësh dritat sepse bëjnë masë. Me aq shumë fonde mund të restaurosh siç duhet muze më të mëdhenj. Si janë harxhuar 500 mijë euro?”

Kreu i Institutit të Monumenteve tha se për restaurimin e Muzeut të Apollonisë, i cili është dy herë më i madh se ky i Gjirokastrës, janë shpenzuar vetëm 90 milionë lekë: “Përgjegjësia për restaurimin e këtij muzeu bie mbi pushtetin lokal, ndërkombëtarët dhe ekspertët e komisionit të muzeut.”

Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, para Komisionit të Medias dhe Arsimit tha se restaurimi i këtij muzeu është bërë pa leje. Ndërkohë që përgjegjësia për këto punime rëndon mbi pushtetin vendor, komisionin për restaurimin e kalave dhe fondacionin Pakard.

Top Channel