Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka fajësuar liderin e partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti, për eskalimin e dhunës ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

“Z. Ali Ahmeti, nëpërmjet dhunës që u mundëson maqedonasve ndaj shqiptarëve, po mundohet që të ruajë vlerësimin e vet politik. Skenari është herë me LSDM-në e herë me VMRO-në. Këtë herë ishte skenari me LSDM-në, ndërsa përgjegjësia e VMRO-së është se nuk veproi shteti për t’i mbrotjur shqiptarët. Pamjet ku policia i vëren huliganët maqedonas se si i rrahin shqiptarët dhe nuk reagon, flet për tolerancë të shtetit për këtë dhunë kriminale ndaj shqiptarëve” tha Menduh Thaçi.

Edhe përkundër zhgënjimit të shqiptarëve, drejtuesi i PDSH-së tha se nuk duhet humbur besimi në procesin politik.

“Jam i vetëdijshëm për një zhgënjim shumë të madh të shqiptarëve, sidomos në Shkup, megjithatë, të gjithëve u apeloj që atë zhgënjim ta derdhin më 24 mars përmes votës së lirë. Ta dënojnë këtë njeri, të cilit nuk i bën përshtypje as gjaku, as rrahjet brutale” shtoi Menduh Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri para fillimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të kryesisë qëndrore të PDSH-së, ku u analizua situata aktuale, pas ngjarjeve të dhunshme ndaj shqitparëve në Shkup.

Top Channel