Beppe Grillo mbledh 162 deputetët

03/03/2013 20:30

Në një hotel të Romës u zhvillua një takim i 162 deputetëve të “Lëvizjes Pesë Yjet”, e kryesuar nga Beppe Grillo.

Asnjë prej pjesëmarrësve nuk ka pranuar të flasë me gazetarët dhe asnjë media nuk ka qenë e pranishme në takim.

Ndërkohë, aktivistët dhe simpatizantët e partisë iu përgjigjën thirrjes së bërë për të përfituar nga të ashtuquajturët “Parlamente me dyer të hapura”.

Çdo të dielë i jepet mundësia qytetarëve e turistëve të vizitojnë këtë vend simbol të pushtetit politik dhe këtë të dielë “Lëvizja Pesë Yjet” ka ftuar qytetarët, që të shkojnë në mënyrë masive në parlament, sepse ajo është “shtëpia e italianëve”.

Në fakt, në dyert e parlamentit ka pasur turma të mëdha dhe janë regjistruar mijëra vizita më shumë se të dielat e zakonshme.

Nga ana e tij, Beppe Grillo, lideri i lëvizjes që tronditi nga themelet politikën italiane, hedh idenë e një referendumi mbi euron, referendum që sipas tij duhet të zhvillohet nëpërmjet internetit.

Në një intervistë për një gazetë gjermane, ai u shpreh se dëshiron një Europë të bashkuar moderne, që të flasë një gjuhë të përbashkët dhe jo njëmbëdhjetë, si në Parlamentin Europian.

Beppe Grillo përsëriti dhe njëherë se lëvizja e tij nuk do t’i japë votëbesimin asnjë qeverie, por do të votojë në parlament, ligj për ligj, në përputhje me programin e vet.

Praktikisht, ende nuk propozon rrugëdalje nga një situatë, që nuk mund të zgjasë shumë.

Top Channel