Obama firmos shkurtimet

02/03/2013 04:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka nënshkruar hyrjen në fuqi të shkurtimit të shpenzimeve, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në shkatërrimin e ekonomisë amerikane.

Shkurtimet, të njohura si “sekuestrimi” dhe që u hartuan 2 vite më parë, do t’i heqë një shumë prej 85 miliardë dollarë buxhetit federal të SHBA-ve, për këtë vit.

Bisedimet e minutës së fundit në Shtëpinë e Bardhë, për të shmangur reduktimin e shpenzimeve përpara afatit limit të së premtes, u mbyllën pa asnjë marrëveshje.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se shkurtimet do të zvogëlojnë rritjen ekonomike globale. Shkurtimet mund të kenë një pasojë tepër të dhimbshme, sa që politikanët do të detyrohen për të arritur një marrëveshje në të ardhmen, mbi një rrugë më të mirë për të balancuar shifrat.

Gjithsesi, teksa afati kohor skadoi ditën e premte, Obama dhe liderët republikanë të Kongresit sërish dështuan për arritjen e një marrëveshjeje për shmangien e tyre.

Dy palët kanë mosmarrëveshje në lidhje me insistimin e presidentit për të rritur taksat, si pjesë e planit për të adresuar borxhin prej 16,6 trilionë dollarë të vendit.

Pas dështimit të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, Obama fajësoi republikanët për këtë bllokim. “Ata lejuan që të ndodhin këto shkurtime, sepse refuzojnë të lëvizin për mbylljen e atij shtegu të kotë dhe shumë të vogël, për të ndihmuar në reduktimin e borxhit”, tha ai.

Obama paralajmëroi se shkurtimet, nëse realizohen tërësisht, do të ngadalësojnë rritjen e ekonomisë amerikane me 0,5%, duke i kushtuar vendit 750 mijë vende pune më pak.

“Ne nuk mund të bënim një seri shkurtimesh arbitrare dhe të paarsyetuara, për gjërat nga të cilat bizneset dhe punonjësit varen”, tha ai.

Top Channel