Një nga militantët kryesorë të al-Qaeda-s është vrarë në veri të Malit, bëri të ditur presidenti i Çadit, Idriss Deby.
Ai tha se forcat ushtarake të vendit vranë Abdelhamid Abou Zeid, gjatë përleshjeve në rajonin e largët. Abou Zeid ka qenë komandanti i dytë i al-Qaeda-s në grupin islamik Maghreb, që po lufton kundër forcave të huaja në Mali.
Algjerian me kombësi, ai akuzohet për vrasjen e dy pengjeve perëndimorë, britanikun Edwin Dyer në 2009 dhe francezin Michel Germaneau në 2010.
Nëse konfirmohet vdekja e tij, menjëherë do të ngrihet pikëpyetja mbi gjendjen e disa prej pengjeve francezë, që deri më tani dyshohej se kanë qenë nën tutelën e Abou Zeid.
Në janar, Franca dërgoi rreth 3500 trupa në veri të Malit, për të luftuar kundër disa grupeve të ndryshme islamike, të cilët kishin pushtuar një zonë të gjerë në shkretëtirën e Saharasë.
Çadi është një nga vendet afrikane, që kanë ndihmuar operacionet franceze. Pasi rimorën në kontroll disa prej qyteteve kryesore të rajonit, trupat ushtarake të Çadit dhe Francës po luftojnë ndaj forcave islamike në zonat malore të Adrar des Ifoghas, në veri të Kidal, ku militantët janë rigrupuar gjatë javëve të fundit.
Televizioni algjerian, Ennahar TV, ka raportuar më herët se Abou Zeid ishte mes 40 militantëve të vrarë në zonën pranë kufirit me Algjerinë.
“Forcat e Çadit kanë vrarë dy liderë xhihadistë, përfshi Abou Zeid”, tha presidenti Deby, ditën e premte, duke mos dhënë detaje të hollësishme. Ai foli pas funeralëve të ushtarëve të Çadit, të vrarë në këto luftime.
Mediat algjeriane kanë raportuar se forca të sigurisë kanë marrë kopjet e ADN-së së dy të afërmve të Abou Zeid, për të krahasuar atë të trupit të vrarë, që besohet të jetë i tiji.
Top Channel