
Si rrallë herë Kuvendi i Kosovës është mbledhur në mbrëmje, kësaj radhe
në një seancë të jashtëzakonshme, ku kryeministri Hashim Thaçi ka
raportuar para deputetëve për takimin e 5-të me kryeministrin serb.
Ndarja e Kosovës, autonomia për veriun, modeli i Katalonisë në Spanjë apo ai i Tirolit Jugor nuk do të ndodhin, ka thënë kryeministri i Kosovës në fund të raportit të tij, i cili është duartrokitur nga deputetët e PDK-së.
“Unë dua të sqaroj qartë për ju të nderuar deputetë dhe për të gjithë qytetarët e dashur të Republikës së Kosovës, se themelimi i një asociacioni të tillë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje lokale. Asociacioni që do të themelohet nuk do të ketë rol as ekzekutiv dhe as ligjvënës. Kjo është shumë e qartë. Pra, nuk mund të jetë zëvendësim për Kuvendet Komunale dhe përgjegjësitë e Komunave nuk mund të barten tek ky mekanizëm. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë formimin e një niveli të tretë të pushtetit në Kosovë, por nuk mund ta ndaloj Serbinë që të ëndërrojë gjëra të tilla”, ka thënë Thaçi.
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se nëse këto bisedime po quhen për normalizim marrëdhëniesh, atëherë këtë gjuhë të komunikimit nuk po e sheh në Beograd e Prishtinë.
Formimi i një asociacioni për komunat me shumicë serbe ka zgjuar debate të shumta në Kuvend, dhe sipas kryeministrit Thaçi, do të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit, pa fuqi ekzekutive e legjislative, dhe kërkesa e LDK-së ka qenë pikërisht kjo, që ky asociacion të mos ketë fuqi të tilla.
“Asociacioni i komunave në veri, apo çfarëdo emërtimi që të ketë, nuk duhet të ketë kompetenca ligjvënëse apo ekzekutive. Ne as që kemi nevojë për një asociacion njëetnik”, ka thënë Ismet Beqiri, kryetar i grupit të LDK-së.
Kritikë në qëndrimet e tyre janë shprehur deputetët nga lëvizja Vetëvendosje, që kanë deklaruar se përmes asociacionit për komunat me shumicë serbe po bëhet ndarja e brendshme e Kosovës, dhe se pranimi i asociacionit është tradhëti.
“Nuk është më e rënda që Thaçi është tradhtar, por më e rënda është që po bëhet bashkëpunëtor i Serbisë dhe po merret vesh me Serbinë. Marrëveshjet në Bruksel janë marrëveshje personale të Thaçit. Ky kryeministër pati thënë që do të ketë dialog teknik, se dialogu politik ka përfunduar në Vjenë. Dialogu nuk po bëhet vetëm për veriun, por për gjithë vendin. Deputetë të nderuar, edhe sa duhet të presim që ky kryeministër të na gënjejë dhe të presim gënjeshtra të reja”, deklaroi kryetari i lëvizjes, Albin Kurti.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti i së cilës është koordinator për dialog, ka kërkuar nga kryeministri që edhe ata të jenë brenda në takime.
“Zoti kryeministër, po insistojmë që kur të bisedohet për Kosovën të jemi në tavolinë. Kemi pranuar të marrim përsipër përgjegjësitë, çfarëdo qofshin ato, politike apo morale. Nuk duam të jemi jashtë, por duam të jemi brenda. Asociacioni i komunave është e vërtetë që del me ligj, por përmbajtja nuk është e përcaktuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm jo për emrin e tij, sepse emri është në ligj, por për përmbajtjen. Ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen në gjithë Kosovën në të njëjtën ditë”, ka thënë kreu i grupit Ardian Gjini.
Takimi i ardhshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë serb Ivica Daçiç do të mbahet më 4 mars, në Bruksel.
Top Channel