
Një gjykatë në Kolumbi ka dënuar me burg 147 ushtarë të cilët gjetën dhe mbajtën për vete 20 milionë dollarë që dyshohet se ishin fshehur nga rebelët.
Ushtarët i gjetën paratë të paketuara në qese plastike gjatë një operacioni në një kamp të braktisur të FARK-ut, në prill të vitit 2003. Ata janë shpallur fajtorë për përvetësim.
Avokatët e tyre kundërshtuan se nuk ka pasur vjedhje për sa kohë nuk dihej se të kujt ishin paratë. Dënimet me burg variojnë nga tetë muaj deri në 5 vjet.
Gjatë proçesit trupi gjykues u vu në dijeni se ushtarët e dinin se paratë ishin të FARK-ut dhe se ishin mbledhur nga trafiku i drogës, pengmarrjet dhe zhvatja.
Por në vend që ta raportonin, ushtarët vendosën ta ndanin shumën mes njëri-tjetrit, vuri në dukje gjyqtari i çështjes gjatë seancës.
Shumë prej tyre dezertuan bashkë me paratë, ndërsa të tjerë bënë shpenzime të ekzagjeruara, veprime këto që ngritën dyshime tek autoritetet.
Ditën e premte, gjykata ushtarake urdhëroi edhe kapjen e menjëhershme të ushtarëve që janë ende në arrati.
Ushtarët i përkisnin batalionit anti-guerrilas, që luftonte kundër rebelëve të Forcave të Armatosura Revolucionare Kolumbiane në zonat San Vincente dhe Kaguan.
Top Channel