Florida, zhduket në gropën thithëse, në shtëpi

02/03/2013 05:10

Një burrë nga Florida është zhdukur në një gropë prej 6 metrash të thellë, që e “gllabëroi” atë nga dhoma e gjumit, në shtëpinë e tij.

Jeffrey Bush, 36 vjeç, mendohet të ketë vdekur, pasi ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur të sigurojnë kontakte me të. Zyrtarë lokalë kanë shtyrë përpjekjet e mëtejshme për shpëtim, deri kur të përcaktojnë se sa sipërfaqe toke rrezikohet nën shtëpinë e tij.

Gropat thithëse janë të zakonshme në disa pjesë të Florida-s, tha shefi i zjarrëfikësve të qytetit Hillsborough.

“Florida kryesisht qëndron mbi një sistem shpellor”, tha shefi Ron Rogers, i cili shton se erozioni nga uji nëpër shpella shkakton shembjen e tyre, duke formuar gropa thithëse në sipërfaqe.

Gropa thithëse është aktualisht 9 metra e gjerë dhe 6 metra e thellë, por zyrtarët kanë caktuar një rrethim shpëtimi prej 30 metrash të gjerë, duke iu frikësuar zgjerimit të kësaj grope.

“Nuk e dimë se sa e qëndrueshme mund të jetë shtëpia”, tha shefi Rogers, duke shtuar se disa pjesë të saj kanë nisur të shemben në tokë, ndërkohë që brenda ishin ekipet e shpëtimit.

Vëllai i Jeffrey Bush, Jeremy, tha për ekipet e shpëtimit se kishte dëgjuar një përplasje të zhurmshme gjatë mesnatës së të enjtes, e më pas të vëllanë duke thirrur për ndihmë. Ai tha se kishte kërcyer mbi gropë, por nuk mundi ta shihte të vëllanë.

“Kati ishte ende në shembje e sipër dhe papastërtitë po shkonin përposhtë, por nuk doja t’ia dija. Doja të shpëtoja vëllanë tim”, tha ai, i mbytur në lotë jashtë shtëpisë së një fqinji. “Mund të betohem, e dëgjova atë të thërriste emrin tim, duke kërkuar ndihmë”.

Jeremy ishte përpjekur me anë të gërmimeve të gropës, gjithnjë e në zgjerim, për të rikthyer të vëllanë.

Nuk ka patur asnjë kontakt me Jeffrey Bush, që prej atëherë, edhe pse zyrtarët kanë thënë se kanë futur kamera dhe aparate dëgjimi në gropë. Fqinjët nga të dyja anët e shtëpisë janë evakuuar.

Top Channel