Siri, Kerry shton ndihmat ndaj rebelëve

01/03/2013 00:30

Shtetet e Bashkuara po përgatitet të rrisë mbështetjen e saj për opozitën siriane, në luftimet e kësaj të fundit kundër presidentit Bashar al-Assad, bëri të ditur Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Kerry tha se SHBA-të do të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për forcat rebele, në formën e ndihmave mjekësore dhe furnizimeve me ushqime.

Ai premtoi gjithashtu një fond prej 60 milionë dollarë shtesë për opozitën, për t’i ndihmuar ata të ofrojnë qeverisjen bazë dhe shërbime të tjera në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Kerry ka folur në një mbledhje të grupit të “Miqve të Sirisë” në Romë. Të premten, ai do të udhëtojë drejt Ankarasë për të diskutuar rreth krizës së Sirisë, kryesisht me zyrtarët më të lartë turq.

Premtimi për ndihma të drejtpërdrejta, jo-vdekjeprurëse, për rebelët përfaqëson një ndryshim të politikës së SHBA-ve për Sirinë, sipas korrespondentëve.

Gjithsesi, ndihma nuk ofron armë dhe municione të tjera, për të cilat rebelët thonë se kanë shumë nevojë, në mënyrë që të mposhtin forcat qeveritare.

Kerry tha se vendimi ishte projektuar për të rritur presionin ndaj presidentit Assad, për t’u larguar nga posti i tij dhe për të lejuar tranzicionin demokratik.

“Vendimi i SHBA-ve për të ndërmarrë hapa të mëtejshme, vjen si rezultat i brutalitetit të forcave të armatosura, superiore ndaj rebelëve opozitarë, të përforcuara së fundi edhe me ushtarë nga Irani apo Hezbollah. Presidenti Assad s’ka më kohën në favor dhe së shpejti do të jetë larg pushtetit”, tha Kerry, duke shtuar se lideri sirian nuk do ta ketë të ardhmen e tij, jashtë kësaj situate.

Ndihma prej 60 milionë dollarësh për Koalicionin Kombëtar Sirian (SNC) përfaqëson një dyfishim të mbështetjes së SHBA-ve. “Duke parë se regjimi po humbet vazhdimisht terren, kjo ndihmë e jona do të ndihmojë opozitën të rrisë stabilitetin, të ndërtojë qeveri përfaqësuese dhe sundimin e ligjit”, shtoi ai.

Top Channel