Irak, fundoset varka, të paktën 5 të vdekur

01/03/2013 04:58

Të paktën 5 irakianë kanë vdekur, kur një varkë e tejmbushur, pjesë e një restoranti, e përdorur zakonisht për festa private, është fundosur në lumin Tigër në Bagdad, sipas zyrtarëve. Ata thonë se të paktën 3 të tjerë janë shpallur të zhdukur.

Varka, e lidhur në zonën Karrada të lumit, i përkiste një restoranti me pronar libanez. Policia bëri të ditur gjithashtu se ishin 150 veta mbi varkë, kur ajo u fundos. Ata thanë se nuk ka asnjë informacion, nëse fundosja mund të jetë shkaktuar nga ndonjë akt terrorist.

Duke folur për agjencinë e lajmeve AP, ata thanë se varka ishte mbi kapacitetin e saj, ndërkohë që ka patur shenja të ndryshkjes së pjesëve të metalta të saj, të cilat e mbanin varkën të lidhur në breg.

“Pjesa më e madhe e njerëzve mbi varkë ishin irakianë, vetëm pak prej tyre ishin të huaj nga vendet e Lindjes së Mesme”, tha një anëtar i këshillit provincial të Bagdadit, Mohammed Jassem al-Rubaie, për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai tha se festa ishte në kuadër të prodhuesit të armëve të rënda amerikane, Caterpillar. “Jam 100% i sigurt se ishte thjesht një aksident”, tha ai.

Pamjet filmike të televizionit lokal shfaqin njerëz të mbledhur në hyrje të restorantit, ndërkohë që trupat, të mbledhura me qese të zeza, po ngarkoheshin në ambulanca.

Restoranti është një nga bizneset e reja që kanë lulëzuar, teksa ekonomia e Irakut ka filluar të rikuperohet nga problemet e invazionit të forcave të huaja të udhëhequra nga ato amerikane, gati 10 vite më parë.

Top Channel