Informatori i “Wikileaks” pranon 10 nga 22 akuza

01/03/2013 16:15

Bradley Manning, ushtari amerikan i akuzuar se i dorëzoi dokumente sekrete uebsajtit të “Wikileaks”-s pranoi 10 nga 22 akuza të ngritura kundër tij.

Megjithatë, 25-vjeçari mohoi akuzën më të rëndë që i rëndon, atë të favorizimit të armikut.

Gjykata ushtarake në të cilën ai po gjykohet pranoi pranimin e fajësisë për dhjetë akuzat, për të cilat mund të dënohet me një total prej 20 vitesh heqje lirie, por shtoi se ai do të vazhdojë të ndiqet edhe për krimet e tjera që dyshohet se ka kryer.

Vepra penale e favorizimit të armikut dhe spiunazhit është një prej më të rëndave në sistemin juridik amerikan, e dënueshme deri me burgim të përjetshëm (në disa dispozita edhe me vdekje).

Në seancën e së enjtes, Manning tha përpara gjykatës se shpërndau dokumentat për të ndezur një debat publik mbi veprimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana e tij, themeluesi i uebsajtit “Wikileaks”, Julien Assange, ndodhet në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ka fituat statusin e azilantit politik.

41-vjeçari kërkohet nga drejtësia suedeze për dy akuza përdhunimi, por Assange e ka konsideruar gjyqin në Stokholm një farsë, që do të paraprinte ekstradimin e tij në SHBA, ku do t’i rezervohej një dënim shembullor.

Top Channel