Një pilot pranoi vullnetarisht se kishte rënë dy herë në gjumë ndërsa drejtonte një linjë transatlantike nga Londra në Los Anxhelos, në një pohim të ri që ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e transportit ajror.
Në deklaratën e tij, i cili vendosi anonimitetin si kusht për të rrëfyer, kapiteni pretendon se përgjumja në krye të detyrës është një fenomen i zakonshëm në botën e aviacionit, pasi shumë pilotë pranojnë nën zë se i janë nënshtruar të paktën një herë lodhjes.
“Ndërsa po fluturoja nga Londra në Los Anxhelos, papritur dhe pa asnjë paralajmërim, më zuri gjumi”, pranoi piloti, duke iu referuar një udhëtimi të nëntorit 2011, kur drejtonte një avion të mbushur pothuajse plot në kapacitetin e tij prej 332 udhëtarësh.
“Pas disa minutash gjumë u ndieva shumë më mirë dhe vazhdova rrugën deri në Los Anxhelos pa probleme”.
Sipas pilotit, pagjumësia e tij u ndikua nga gjumi i parehatshëm, për shkak të kushteve të këqija të hotelit, në secilin prej dy rasteve në Londër.
Ndonëse kapiteni i “Neë Zeland Airlines” këmbënguli se përgjumja e tij nuk vendosi në rrezik fluturimin, për shkak të prezencës së pilotit të dytë në kabinë, pohimi i tij përbën një dëshmi me të vërtetë shqetësuese për sigurinë e transportit ajror.
Denoncimi i pilotit nuk do të shoqërohet me asnjë masë disiplinore, pasi sipas “NZA”-së, diçka e tillë do të dekurajonte stafin nga raportimi i problemeve të lodhjes në të ardhmen.
Top Channel