Shkruhet Bayern, lexohet Fußball. Për momentin nuk të vjen ndërmend tjetër sinonim, mbi të gjitha edhe sepse nuk ke çfarë të gjesh. Në “Marienplatz” kanë përgatitur tashmë koreografitë, parrullat dhe koret për të festuar me skuadrën e Heynckes në fund të sezonit.
Shifrat lënë pak vend për komente: 63 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pësuar në Bundesliga, Arsenali u “thye” brenda në “Emirates”, ndërsa Borussia Dortmund, rivalja më e madhe e këtyre viteve të fundit është ende e dyta, por me një distancë të madhe në klasifikim.
Gjithçka është amplifikuar nga mungesa e trofeve prej 2 sezonesh, një përjetësi për ata që janë mësuar të fitojnë pothuajse gjithmonë, të paktën brenda kufijve gjermanë.
Shifrat, të vetme nuk mjaftojnë të shpjegosh fenomenin Bayern Munchen, por dhurojnë një panoramë të realitetit. 60 pikë në 23 ndeshje në kampionat: 19 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje.
Vetëm me kaq të trembin, por në realitet, duke i analizuar me imtësi, shihet se bavarezët kanë luajtur më mirë në transfertë, se sa në shtëpinë e tyre.
E dyta në klasifikim, Borussia Dortmund e drejtuar nga Klopp, nuk përbën më shqetësim, është 17 pikë larg dhe “Meisterschale” duket tashmë i dorëzuar në sekretari, gati për t’u transferuar në “Allianz Arena”, xhevahiri teknologjik me të cilin krenohen bavarezët.
Për të shpjeguar sukseset e Heynckes, Robben, Ribery dhe shoqërisë së çmendur pas birrës, janë edhe shumë situata të tjera. Mario Mandzukic, i cili në nisje ishte rezervë e Gomez, ka shënuar 15 gola në 19 ndeshje, ndërsa gjermani me probleme të shumta vetëm 5 gola në 11 ndeshje. Më pas është edhe rilindja e Muller, rëndësia taktike e Kroos dhe padepërtueshmëria e Neuer, i cili ka pësuar vetëm 8 gola, gjithnjë në 23 ndeshje. Të dhëna për një “makineri” e cila, nëse nuk mund të quhet perfekte, mungon shumë pak nga ky karakterizim.
Veç shifrave, mund të thuhet se Bayern Munchen është një skuadër që dominon fizikisht çdo kundërshtar, që luan me topa të ulët dhe që, me ardhjen e Guardiola-s, është e destinuar të përmirësohet jashtëzakonisht shumë.
Top Channel