Kryeministri Hashim Thaçi e pati të pamundur këtë të enjte të raportonte
në Kuvend për shkak të protestës së deputetëve të Vetëvendosje.

Kjo nuk e ka penguar kreun e Qeverisë kosovare që të kryejë raportimin e tij për zhvillimet politike dhe punën e kabinetit qeveritar, por këtë radhë nga selia e Qeverisë.

Thaçi ka folur për dialogun Kosovë – Serbi, duke filluar nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Legjitimitetit të Pavarësisë dhe gjithë ecurinë e dialogut. Ai ka folur për të gjitha takimet dhe rezultatet gjatë bisedimeve teknike si dhe në këto pesë takimet e mbajtura me homologun e tij Daçiq.

Kryeministri tha se gjithçka ka ndodhë dhe po ndodhë në respekt të Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit duke shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë as kompetenca ekzekutive e as ligjvënës.

Pengesën për të raportuar në Kuvend, Kryeministri i quajti tendencë për të penguar informimin e qytetarëve.

Ndërhyrja e deputetëve të Vetëvendosjes

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë në momentin kur do të raportonte kryeministri Hashim Thaçi. 

Kur ai po bëhej gati për të marrë fjalën në foltore, deputetët e lëvizjes Vetëndosje, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca dolën aty me një pankartë me hartën e Kosovës, të shoqëruar me parullën: “Kosova e Hashimit”.

Në të njëjtën kohë deputetët e tjerë të kësaj lëvizjeje në sallë lëshuan me zë të lartë përgjimet telefonike të bisedave të kryeministrit, të regjistruara nga EULEX dhe të publikuara në Youtube pak kohë më parë.

Mes batutash, kryeministri u largua nga foltorja duke thënë se do ta vazhdonte fjalimin vetëm kur të krijohen kushtet e duhura. Ndërkohë, kryetari i seancës dha një pushim prej 15 minutash, pas të cilës kryeministri nuk u kthye në seancë.

Thaçi do të raportonte në këtë seancë për takimin e tij të fundit me homologun serb Ivica Daçiç, i zhvilluar më herët gjatë muajit në Bruksel.

Rezulton se Vetëvendosje e ka braktisur seancën në shenjë proteste ndaj miratimit të qeverisë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Formimi i kësaj shoqate u njoftua më herët gjatë javës nga kryeministri Thaçi, i cili nënvizoi se organizata nuk do të ketë pushtet ekzekutiv.

Ajo nuk është kundërshtuar nga partitë opozitare AAK dhe LDK, të cilat kërkojnë që gjithësesi ajo të jetë brenda pakos së Ahtisarit, por nga Vetëvendosje është sulmuar ashpër.

Sipas lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti, krijimi i këtij asociacioni do të thotë t’i japësh Serbisë veriun e Kosovës.

Vetëvendosje që në fillim i ka kundërshtuar bisedimet me Beogradin, pasi sipas saj, përveç faktit se po dialogohet me pasardhësit e Millosheviçit, po faktorizohet edhe ndarja e Kosovës.

Top Channel