Qeveria e Sllovenisë, e rrethuar nga kriza ekonomike dhe akuzat për korrupsion, ka rënë. Parlamenti votoi për largimin e kryeministrit konservativ, Janez Jansa, pasi disa parti të vogla u larguan nga koalicioni i tij.

Ai u akuzua nga mbikqyrësit anti-korrupsion në janar, për parregullsi të taksave, teksa ka vuajtur për implementimin e masave shtrënguese për të luftuar krizën financiare të vendit.

Anëtarët e parlamentit i kërkuan lideres së opozitës, Alenka Bratusek, të formojë një qeveri të re. Ajo do të jetë udhëheqësja e parë femër e Sllovenisë, që prej pavarësisë së këtij vendi nga Jugosllavia, në 1991.

Jansa u zgjodh një vit më parë, por qeveria e tij nuk mundi të zgjidhte problemet ekonomike të vendit. Sllovenia u bë pjesë e Bashkimit Europian në 2004, si dhe e Eurozonës në 2007, por sektori bankar i saj u godit rëndë nga kriza financiare botërore dhe kriza e eurozonës në vijim.

Vendi ndodhet aktualisht në një recesion të thellë, ndërkohë që papunësia ka shkuar më shumë se 12%, ndërsa GDP-ja pritet të tkurret me 2% këtë vit.

Ka spekulime se Sllovenia do të detyrohet të kërkojë ndihmë te ndërkombëtarët, pasi i duhet të ripaguajë 2 miliardë euro borxhe në muajt e ardhshëm.

Jansa është përballur me akuza për korrupsion, por ka shtuar gjithashtu zemërimin publik dhe protestat, për shkak të masave shtrënguese financiare.

Zonja Bratusek, e cila në të kaluarën ka punuar në Ministrisë e Financave, ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj masave shtrënguese, duke thënë se prioritet e saji do të jetë “rritja ekonomike dhe punësimi”.

Ajo planifikon gjithashtu të shmangë ndihmën e ndërkombëtarëve, në mënyrë të ngjashme me Greqinë. “E kam thënë shumë qartë. Nuk ka vend për skenarë si Greqia në Slloveni”, tha ajo para parlamentit.

Top Channel