SHBA, konfirmohet edhe Sekretari i ri i Thesarit

28/02/2013 01:20

Jack Lew konfirmohet në postin e Sekretarit amerikan të Thesarit, pas votimit 71 pro dhe 26 kundër në Senat.

Zoti Lew, 57 vjeç, ka qenë së fundi shef i stafit të presidentit Barack Obama, i cili e nominoi atë për rolin e ri.

Lew merr kështu “frenat” e postit të ri, pavarësisht negociatave të tensionuara mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në Kongres.

Të dy palët janë duke “luftuar” kundër rrezikut që i kanoset nga një seri shkurtimesh të shpenzimeve, të quajtura “Sekuestrimi”, sipas të cilave pritet të shkurtohen rreth 85 miliardë dollarë nga buxheti federal i këtij viti.

Shkurtimet, të cilat pritet të kenë efekt që nga e premtja, nëse Kongresi nuk vepron për t’i parandaluar ato, do të ndahen mes mbrojtjes dhe programeve vendase, me një total prej 1,2 trilionë dollarë, deri në vitin 2022.

Pas votimit, Obama lavdëroi kualifikimet e Lew dhe tha se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krah të tij, “në përballimin e sfidave më të vështira të kombit”.

“Reputacioni i tij si një mjeshtër i politikave fiskale, i cili mund të punojë me liderë të të dy krahëve të politikës, e ka ndihmuar atë të ketë sukses në disa punë tepër të vështira në Washington”, tha Obama.

Përpara se të punonte si shef i stafit të Obama-s, Lew ishte drejtori i buxhetit të tij. Ai ka patur gjithashtu të njëjtin rol edhe nën drejtimin e presidentit Bill Clinton.

Top Channel