Maduro: Chavez po lufton me vdekjen

28/02/2013 23:50

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është “duke luftuar me vdekjen”, sipas zëvendës-presidentit Nicolas Maduro.

“Komandanti ynë është i sëmurë, sepse dha jetën e tij për ata që nuk kanë asgjë”, tha ai për televizionin venezuelian.

Chavez bëri të ditur fillimisht se kishte nisur trajtimet për kancerin në qershor 2011. Lloji i kancerit dhe vendndodhja e saktë e tij nuk është bërë kurrë e ditur.

Ai nuk është parë në publik, që kur udhëtoi drejt Kubës në dhjetor, për operacionin e tij të fundit.

Chavez, i cili qëndron në krye të shtetit prej 14 vitesh, besohet të vuajë nga një kancer në zonën e legenit.

Ai raportohet të ketë probleme edhe me një infeksion në rrugët e frymëmarrjes, pas operacionit të tij të fundit.

Presidenti u rizgjodh për një tjetër mandat 6-vjeçar në tetor 2012, por betimi i tij para popullit u shty, për shkak të sëmundjes së tij.

Duke folur në Karakas, zëvendës-presidenti Maduro, i cili njihet gjerësisht si pasardhësi i përzgjedhur nga Chavez, tha se presidenti “nuk i kushtoi rëndësi shëndetit të tij, sepse dha shpirtin dhe trupin e tij për popullin”.

“Ai është duke luftuar me vdekjen, po lufton për shëndetin e tij dhe ne jemi pranë tij”, tha ai.

Chavez u rikthye nga Kuba në mes të shkurtit, duke lëshuar disa “cicërima” festuese në “Twitter”, me anë të të cilave falenderoi kubanezët për ndihmën e tyre dhe venezuelianët për mbështetjen.

Një javë më pas, disa imazhe të tij u publikuan, teksa ishte duke buzëqeshur në krevatin e spitalit, gjatë një vizite të vajzave të tij. Por, që prej atëherë, është dëgjuar shumë pak për të.

Top Channel