Italia, në rrezik destabilizimi

28/02/2013 00:00

Shërbimet sekrete italiane kanë paralajmëruar rrezikun që i kanoset
vendit fqinj nga kriza financiare, efektet e të cilës mund të shkaktojnë
tensione sociale dhe veprimtari të grupeve anarkiste.

Në një raport të dorëzuar në Parlament, shërbimet sekrete paralajmërojnë se rritja e vështirësive si pasojë e papunësisë dhe gjendja e vështirë financiare e sipërmarrjeve mund të cënojnë besimin e punëtorëve tek sindikatat.

Sipas tyre, këta faktorë mund të ofrojnë mundësi të reja për grupet antagoniste të organizuara për të krijuar situata konfliktuale, si protesta e manifestime të dhunshme.

“Në një situatë të tillë parashikohet rreziku i një intensifikimi të kontestimeve ndaj eksponentëve të qeverisë dhe institucioneve, në mos të përfaqësuesve të partive politike dhe sindikatave të konsideruara jo të angazhuara mjaftueshëm në mbrojtjen e nevojave të punëtorëve”, thotë raporti i DIS.

Për rrjedhojë, vijon më tej dokumenti, ekziston rreziku për një degradim të situatës, pasi ngritja e ndjenjës së alarmit tek popullsia mund të favorizojë aksionet radikale që synojnë një ofensivë sociale.

Një tjetër rrezik, sipas agjentëve 007, është edhe infiltrimi i organizatave mafioze në punët për infrastrukturën publike, si në ndërtimin e ndërtesave, të rrugëve dhe në sektorin e energjisë së rinovueshme.

“Aftësia e këtyre organizatave për t’u infiltruar në punët publike duket gjithnjë e më e përhapur, jo vetëm në jug, por në të gjithë territorin e vendit, duke ndotur kështu ekonominë e pastër”, thonë më tej shërbimet sekrete.

Ndërsa kriminaliteti informatik përbën për momentin sfidën kryesore për sistemin e vendit, me teknikat e sulmeve dhe objektivat e hakersave që ndryshojnë më shpejt se kundërmasat e marra nga institucionet, vlerësohet në raport.

“Gjithashtu, situata e krijuar mund të favorizojë rrezikun për falimentimin e bankave dhe spiunazhin industrial e atë ekonomik”, vlerëson më tej dokumenti i paraqitur në Parlamentin italian.

Top Channel