BE kufizon shpërblimet e bankierëve

28/02/2013 00:00

Autoritetet e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje afatgjatë për rregullat e reja financiare, përfshirë një për kufizimin e shpërblimeve bankare.

Në bazë të marrëveshjes, shpërblimet do të pranohen si rrogë vjetore, por mund të rriten në nivelin e një rroge 2-vjeçare nëse kjo aprovohet nga aksionerët.

Marrëveshja u arrit në orët e vona të së mërkurës. Ministrat e BE-së duhet ta aprovojnë atë tani, edhe pse kjo konsiderohet vetëm një formalitet.

Mbretëria e Bashkuar, ku ndodhet dhe qendra më e madhe e shërbimeve financiare në Evropë, ishte kundër çdo kufiri për shpërblimet bankare.

Londra argumenton se rregullat do të shkaktojnë largimin e profesionistëve dhe do kufizojnë rritjen në sektorin financiar.

Britania e Madhe është përpjekur të sigurojë mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE për qëndrimin e saj në këtë çështje.

Bankierët e lartë dhe krerët e financave mund të fitojnë shpërblime në raste të shumta në bazë të rrogës së tyre, por kjo gjë ka shkaktuar irritim tek opinioni publik kur kanë qenë rastet e bankierëve të bankave që kanë shkuar në buzë të falimentimit.

Marrëveshja u arrit pas tetë orë bisedimesh intensive të mbajtura në Bruksel mes anëtarëve të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të qeverive të 27 vendeve anëtare.

Othmar Karas, kryenegociatori i Parlamentit Evropian, deklaroi: “Për herë të parë në historinë e rregullave financiare të BE, ne do të mund të kufizojmë shpërblimet për bankierët”.

Top Channel