Prej më shumë se një viti, Naim Ismajli është Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i themeluar pas luftës.

Puna që bën institucioni, të cilin ai drejton, është thjesht bashkërendimi i aktiviteteve ndërmjet komunave të Kosovës, por jo nxjerrja e ndonjë vendimi.

“Asociacioni i Komunave të Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim, as politik, as ekzekutiv, i cili duhet të jetë i zbatueshëm për kryetarët e komunave. Vetëm mund të nxjerrë rekomandime, sygjerime dhe propozime, për zgjidhje më të mira, që shkojnë në interes të qytetarit”, tha Ismajli.

Në kohën kur themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe është temë në dialogun Kosovë – Serbi, Ismajli thotë se ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, si dhe Karta Europiane për Vetëqeverisje Lokale, tregojnë se organizimi i asociacioneve mund të jetë vetëm organizëm jo-qeveritar. Gjë të cilën po e thekson dhe kryeministri Thaçi.

“…dhe në këtë aspekt, një asociacion i mundshëm i komunave me shumicë serbe do të ishte i një formati të asociacionit tonë. Në bazë të ligjeve në fuqi s’mund të ketë fuqi, as politike, as ekzekutive”, konfirmoi Ismajli.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se një asociacion i tillë mund të formohet, pasi këtë e lejon kushtetuta, por një mekanizëm i tillë nuk duhet të ketë fuqi ekzekutive.

“Çështja e asociacionit të komunave është me ligj dhe, nëse funksionon ashtu siç është parashikuar me ligj, nuk ka asgjë të keqe, nëse nuk dëshirohet që, me një emër të vogël të bëhen ndryshime të mëdha”, tha Jakup Krasniqi.

Ish-ministri i pushtetit lokal, Sadri Ferati, momentalisht deputet i LDK-së, thotë se nuk mund të ndodhë, që ky asociacion të ketë të drejtën të nxjerrë vendime, që do t’i obligonte komunat.

“Edhe ky asociacion i komunave duhet të bëhet konform ligjeve të Republikës së Kosovës, pra që ata kanë të drejtë të bashkëpunojnë, por nuk mund të delegojnë kompetenca komunale në asnjë nivel tjetër, që “de facto” do t’i kishte rënë: pa kompetenca ekzekutive dhe legjislative, vetëm bashkëpunim i vullnetshëm. Pra, nuk mund të organizohet një asociacion i komunave, e cila pastaj do të kishte marrë vendime, që i obligon komunat. Kjo nuk guxon të ndodhë”, tha Ferati.

Sidoqoftë, në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë serb Daçiç, pritet të konkretizohen disa çështje, ndër të cilat edhe kjo për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Top Channel