SHBA, Hagel emërohet Sekretar i Mbrojtjes

27/02/2013 01:50

Senati amerikan ka konfirmuar ish-senatorin Chuck Hagel si shefin e ri të Pentagonit, pasi disa senatorë republikanë tërhoqën kundërshtimet ndaj tij.

Ish-senatori republikan i Nebraska-s u konfirmua pas votimit 58-41, me mazhorancë të thjeshtë. Zoti Hagel do të zëvendësojë Sekretarin në largim të Mbrojtjes, Leon Panetta.

Kjo lëvizje e Senatit vjen 12 ditë pasi republikanët vonuan votimin, duke vënë në diskutim pozicionet e kaluara të tij kundrejt Izraelit dhe Iranit, si dhe kualifikimet e tij për këtë post.

Por, kritikët u tërhoqën nga kjo lloj manovre, e para për konfirmimin e një Sekretari të Mbrojtjes, pas një ndërprerjeje 1 javore.

Partia Demokratike e Obama-s ruan një avantazh 55-45 në Dhomën e Përfaqësuesve, ndaj dhe për zotin Hagel u deshën vetëm 51 vota për t’u konfirmuar.

Senatorët republikanë, Thad Cochran, Rand Paul, Richard Shelby dhe Mike Johanns votuan në favor të emërimit të Hagel, sipas burimeve të Senatit.

Më herët gjatë së martës, Hagel kaloi një votim procedurial të rëndësishëm, i cili kërkonte mbështetjen e 60 senatorëve.

Mes kleçkave të procesit të nominimit të Hagel ishte vërejtja që ai kishte bërë në një libër të 2008-s, ku thuhej se “lobi hebre” frikësoi vendimmarrësit në Capitol Hill.

Senatorët republikanë thanë se i frikësoheshin 66-vjeçarit Hagel, se ai mund të shfaqej shumë i pakujdesshëm apo i dobët ndaj Iranit.

Top Channel