Pesë vjet pas denoncimit të parë dhe pas një gjyqi që ka zgjatur më shumë se 5 muaj, me 50 seanca, 60 dëshmitarë dhe 17 të akuzuar, juria e Gjykatës së Apelit të Selanikut ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-krybashkiakun e këtij qyteti, Vasilis Papageorgopoulos.

Të njëjtin dënim kanë marrë edhe një ish-sekretar i përgjithshëm i bashkisë dhe ish-shefi i thesarit, të akuzuar për përvetësimin e më shumë se 21 milionë eurove nga fondi i bashkisë, në një prej skandaleve më të mëdha financiare të kohës në Greqi.

Sipas vendimit të gjykatës, Vasilis Papageorgopoulos është shpallur fajtor për krimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në përvetësimin e parave të bashkisë gjatë kohës që ishte në detyrë prej viti 1999 deri në vitin 2010, ndërsa sekretari i tij dhe shefi i thesarit, përveç veprës së përvetësimit të përseritur, janë dënuar edhe për falsifikim dhe pastrim parash.

Bashkë me ta janë dënuar respektivisht me 10 e 15 vjet burg edhe dy drejtorë të fondit financiar të bashkisë. Për vite me radhë të mbuluar nga kryebashkiaku dhe me dijeninë e plotë të tij, ata kishin krijuar një mekanizem të përkryer, që gjente burime financiare për bashkinë dhe i përvetësonte ato pa lënë gjurmë.

Kryebashkiaku Papageorgopoulos, deputet për 17 vjet i Demokracisë së Re, zv.ministër i Atletikës dhe më pas i zgjedhur tre herë rrjesht kryetar i bashkisë me përkrahjen e kësaj partie, etiketohej shpesh herë në opinionin publik të qytetit të dytë më të madh të vendit si “Princi”, apo “Ludoviku”, për shkak të mënyrës së jetesës dhe të sjelljes, ndërsa përdorte televizionin bashkiak për të bërë qejfin e miqve të tij dhe për të promovuar aktivitetet ku merrte pjesë.

Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime pozitive në Greqi, pasi është hera e dytë pas fillimit të krizës që dënohet me burgim të përjetshëm një politikan për përvetësim të parave të shtetit dhe për korrupsion.

Top Channel