Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila denoncoi në mbledhjen e qeverisë politizimin e administratës publike.

Ajo tha se dhjetëra këshilltarë të asambleve komunale mbajnë poste publike në administratë, gjë që është e ndaluar me ligjin për nëpunësit civil të Republikës së Kosovës.

Ministrja Kusari Lila kujtoi se ligji është detyrues për të gjithë që në momentit e zgjedhjes nga votat e qytetareve, anëtarët e asamblesë komunale të heqin dorë nga posti në administratë.

Kjo në shumicën e rasteve, sipas saj, nuk ka ndodhur. Ajo tha se vetëm në Ministrinë e Tregtisë janë pesë persona të cilët janë edhe anëtarë të asamblesë edhe punonjës të ministrisë.

Bëhet fjalë për dy drejtorë departamentesh dhe tre zyrtarë të tjerë. Ata janë: Sherif Sherifi, Avdullah Kryeziu, Besim Jashari, Xhemajl Pllana dhe Kreshnik Rugova.

Raste të tilla ka edhe në ministri të tjera dhe në organet e drejtësisë, përkatësisht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Administrata publike e Kosovës numëron rreth 70 mijë punonjës civilë. Reformimi i saj dhe depolitizimi bën pjesë në listen e kritereve të Bashkimit Europian.

Top Channel