Rezultati i zgjedhjeve italiane ka rritur edhe më shumë frymën e kundërshtimit të masave të ashpra financiare në Greqi.

Në fillim përfaqësues të së Majtës Radikale dhe më pas ata të partive të tjera opozitare, kanë theksuar se politikat e kursimit, të imponuara nga Berlini e Brukseli, kanë sjellë popujt e Europës së jugut në limitet e tyre dhe se kështu BE nuk mund të ecë përpara, pasi në rradhë të parë ekzistojnë njerëzit, më pas tregjet financiare.

Në shumicën e titujve të gazetave vendase ndihet një gëzim që, atë që nuk bëri dot Greqia e vogël me zgjedhjet e saj, e bëri Italia e madhe.

“Basta” është titulli i opozitares Avriani. “Tërmet italian. Mesazh kundër Merkelit dhe masave të kursimit”, shkruan gazeta “To Ethnos”. “Basta Merkel, votuan italianët”, është titulli i gazetës “6 ditët”. “Shuplakë italiane te Merkel dhe masat e kursimit”, thekson Eleftheros Tipos.

Analistët vendas shprehen se mesazhi i italianëve ndaj Merkelit dhe politikave të Brukselit ishte se, ata mund të jetojnë pa euron, por Europa nuk mund të rrezikojë një Itali jashtë saj, apo për më tepër të paqeverisur, ndaj dhe grekët shpresojnë në një ndryshim të vijës së ashpër të Berlinit.

Duke parë edhe rritjen e protestave në Spanjë e Portugali, shumica e grekëve shprehin kundërshtimin ndaj politikave të kursimit dhe reformave të ashpra, të imponuara nga kreditorët, që nuk po sjellin asnjë rezultat, përveç recesionit të thellë, papunësisë së madhe dhe pabarazisë sociale.

I intervistuar për gazetën greke “Proto Thema”, komiku Beppe Grillo, që ktheu në dramë për Europën zgjedhjet italiane, me përqindjen që siguroi, thekson se i vjen keq që grekët u bënë kaviet e financave botërore.

Sipas tij, Greqia ishte e para që hyri në vorbullën e fuqive botërore ekonomike dhe duhet të jetë e para që do të dalë, duke u bërë qytetarët e saj më aktivë në qeverisjen e vendit.

Top Channel