Ballkani i kthen sytë nga Brukseli kur vjen fjala tek ambicjet e tij europiane. Marrëveshjet vulosen në kryeqytetin belg dhe kjo është e ditur, por “The Economist” citon në një artikull të gjatë të tij të ngarkuarën e Serbisë me integrimin në Bashkimin Europian, zëvendëskryeministren Suzana Grubjesiç, të thotë se dikush tjetër është dirigjenti i vërtetë i lëvizjeve.
“Duart shtrëngohen në Bruksel, por vendimet merren në Berlin”, thotë numri dy i qeverise serbe për të përjavshmen prestigjoze. Grubjesiç ishte në Berlin javën e kaluar me zëvendëskryeministrin tjetër Aleksandar Vuçiç, si dhe një delegacion të përbërë nga anëtarë të qeverisë, deputetë e përfaqësues të presidencës serbe.
Vuçiç mbajti një fjalim të rëndësishëm në fondacionin “Bosch” dhe diskutoi politikat e qeverisë së tij përpara një publiku të gjerë. Në kryeqytetin gjerman ishte edhe Neven Mimica, zëvendëskryesminitri kroat, si dhe Slaven Radunoviç, i cili drejton komitetin e integrimit europian në Parlamentin malazez.
Igor Luksiç, ministri i Jashtëm i Malit të Zi kishte vizituar pak ditë më parë Bundestagun, dhomën e ulët të Parlamentit gjerman, me një ndalesë në komisionin e çështjeve europiane, që thuhet se mban çelësin e së ardhmes së Ballkanit perëndimor.
Arsyeja për këtë, shpjegon “The Economist”, ka të bëjë me ndryshimet e vitit 2009 në legjislacionin gjerman, sipas të cilave, Bundestagu duhet konsultuar për çështjet që lidhen me zgjerimin e Bashkimit Europian.
Kjo e bën Bundestagun të vetmen dhomë me një përgjegjësi të tillë në të 27 parlamentet e bllokut europian. Deri më tani, ajo e ka përdorur dy herë këtë të drejtë përmes votimit për aprovimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Irlanden dhe Malin e Zi.
Në muajin prill, Komisioni Europian do të bëjë rekomandimin e tij nëse Serbisë i duhet dhënë drita jeshile e negocjatave. Ka shumë gjasa të rekomandohet një datë, megjithë kushtëzimet për kriteret që duhen përmbushur.
Deri në kohën kur Bundestagut do t’i duhet të votojë për këtë çështje, serbët do të presin dy vizita nga ligjvënës gjermanë. Një anëtar i Bundestagut, Rainer Stinner, thotë se nga 620 pjesëtarë të dhomës, 50 i njohin mirë problematikat e Ballkanit.
Javen e kaluar ishte në Tiranë ministri i Jashtem gjerman, Guido Westerwelle, dhe mesazhet që ai përcolli, nënvizon “The Economist”, ishin të ashpra.
Shefi i diplomacisë gjermane kërkoi që zgjedhjet e përgjithshme të muajit qershor të zhvillohen sipas standarteve europiane dhe të frenohet retorika nacionaliste.
Ky, për gazetën e njohur, ishte një mesazh i qartë publik i drejtuar kryeministrit Sali Berisha, një mënyrë pak më delikate për të mos thënë me zë të lartë: Hesht!
Top Channel