Ukrainë, mjekët: Tymoshenko të kthehet në spital

26/02/2013 15:35

Drejtuesja e burgosur e opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, duhet të vazhdojë terapinë që ndjek prej nëntë muajsh në kushte spitalore.

Kështu deklaruan të martën mjekët e një klinike ku ajo po trajtohej për një hernie në disk, vetëm disa ditë pasi Ministria Ukrainase e Shëndetësisë urdhëroi rikthimin e 51-vjeçares në burg.

Sipas mjekëve, Tymoshenko ka probleme serioze në shpinë dhe ka nevojë për pushim e kujdes absolut, në mënyrë që gjendja e saj shëndetësore të përmirësohet.

Në një deklaratë, një prej anëtarëve të stafit mjekësor që e kuroi gjatë nëntë muajve të fundit theksoi se kthimi i saj në spital është i domosdoshëm edhe për shkak se në burgun e sigurisë së lartë ku ajo mbahet, nuk ka asnjë kusht për të trajtuar gjendjen e saj delikate shëndetësore.

Kryeministrja e parë femër në historinë e Ukrainës u burgos në vitin 2011 për tejkalim të kompetencave ligjore të detyrës së saj dhe abuzim me pushtetin, për shkak të parregullsive në dukje në lidhjen e një kontrati gazi me Rusinë në vitin 2009.

Dënimi i Tymoshenkos përfundon në vitin 2018 dhe Kievi zyrtar nuk është stepur as përballë presionit të Brukselit e Uashingtonit, që e kanë konsideruar këtë burgim si të motivuar politikisht dhe dëmtues për proceset integruese të vendit.

Aktualisht, Tymoshenko është duke u hetuar nga prokuroria edhe për evazion fiskal dhe urdhërimin e një vrasjeje, akuza që nëse do të provohen, mund ta syrgjynosin pas hekurave deri në fund të jetës.

Top Channel