
Skuadrës kombëtare të rilindjes, sic e quan Edi Rama ekipin socialist të deputetëve që do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, i është bashkuar edhe juristi Vexhi Muçmata.
I prezantuar në Selinë Rozë, nga kreu opozitës Rama, zoti Muçmata do të jetë kandidat për deputet në Qarkun e Kukësit.
“Sot Kukësi përfaqësohet nga individë që nuk janë në nivelin e sfidave të Qarkut të Kukësit. Fatkeqësinë që i ka rënë Kukësit si qark që të përfaqësohet sot në qeveri nga një kapter. Sot jam krenar për PS që do t’i japë Kukësit mundësinë që të votojë për një burrë të urtë, njeri fisnik, juristin Vexhi Muçmata. Nuk po cojmë në Kukës një kuksian që t’u thotë kuksianëve se sa të këqinj janë disa kuksianë të veshur me pushtet, por se si mund të rilindë Kukësi”, tha Rama.
E pranova ftesën e PS, tha Muçmata për t’i shërbyer të gjithë banorëve të Qarkut Kukës pa dallim partie dhe për të dhënë kontributin tim në parlament.
“E kam pranuar ftesën për të dhënë kontributin tim në parlament, për zhvillimin dhe ecurinë e proceseve demokratike, si dhe për respektimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë”, tha kandidati Muçmati në fjalën e tij.
Top Channel