Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama
shprehu shqetësimin, për atë që ai e cilësoi si dalje jashtë kontrollit
të policisë, përsa i përket kriminalitetit në të gjithë territorin e
vendit.

“Territori i vendit është jashtë kontrollit të policisë. Policia është e tradhtuar, është e braktisur, është e rrënuar. Ndërkohë Ministria e Brendshme ose jep lajme vrasjesh si të ishte agjenci shtypi, ose mban konferenca kundër opozitës, ose organizon homazhe si agjenci funerale për komisarë që vriten në seri. Tre komisarë të vrarë njëri pas tjetrit dhe asnjë ndryshim, asnjë masë, asnjë veprim për ta ringritur në këmbë policinë, madje sa herë ne ngremë shqetësimin vijnë menjëherë si përgjigje nga Qeveria reagime aq brutale, sa duket qartë që shqetësimi i pushtetit është opozita, nuk është krimi”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama kërkoi nga deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve angazhim të plotë për një paketë propozimesh kundër armëve, ndërsa e cilësoi ligjin më të fundit për armatosjen e zyrtarëve dhe biznesmenëve si tërësisht absurd në një kohë që kriminaliteti ka arritur majat.

Sikurse edhe në mbledhjet e shkuara të grupit parlamentar socialist Edi Rama akuzoi Kryeministrin Berisha se po vijon të kopjojë pjesë nga programi i PS-së.

“U bë kohë që Qeveria bën opozitën e opozitës, rend pas programit tonë, sulmon idetë tona, pastaj i kopjon kur kupton se janë ide me mbështetje në popull, i kopjon po nuk i zbaton sepse është një Qeveri që nuk qeveris më asgjë. Saliu është bërë si ata futbollistët e kohës së televizorit bardhë e zi, që i fusnin në fushë për të shkuar pas këmbëve, jo pas topit”, tha Rama.

Dogjani, akuza Ramës

Në përfundim të mbledhjes së grupit deputeti Asllan Dogjani, në një deklaratë për median u shpreh se kërkesat e anëtarëve të Partisë Socialiste në Kukës, që lidhen me emërimet e reja në drejtimin e degës së PS në këtë qytet, kanë rënë në vesh të shurdhër.

“Kam pritur që mund të reflektojë kryetari i partisë, por vazhdon i njëjti qëndrim, në Kukës vazhdon e njëjta situatë, pavarësisht presioneve që i janë bërë anëtarëve të partisë. Kjo nuk ka lidhje me kandidimin tim. Problemi është të respektohen parimet, vlerat e demokracisë, të respektohet parimi i votës, të pyeten socialistët kuksianë dhe jo të manipulohen dhe dhunohen. Pas komunikimit që kam ata mezi e presin ditën që të përfitojnë sepse prej 8 vitesh kanë vuajtur dhe janë në gjendje shumë të varfër”, tha Dogjani.

 

Top Channel