Mali, ofensivë franceze, dhjetëra viktima

26/02/2013 16:05

Një përballje në veri të Malit, midis trupave xhihadiste dhe atyre franceze rezultoi në humbje të rënda për militantët, raportoi të martën Ministria Franceze e Mbrojtjes.

Sipas ministrit Jean-Yves Le Drian, “si rrjedhojë e luftimeve të ashpra, shumë, shumë xhihadistë gjetën vdekjen”.

Ministri nuk saktësoi numra, por la të kuptohej për disa dhjetëra viktima.

Përballja ndodhi në zonën shkretinore të Igoghasit. Sulmi u ndihmua edhe nga avionët ushtarakë francezë.

”Forcat tonë shënjestruan një bazë të rebelëve, me qëllimin që të lirojnë këtë sektor përfundimisht nga pushtimi i xhihadistëve”, shtoi ministri.

Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 10 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmës, pas avancimit të militantëve në veri.

Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin mars.

Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.

Një prej shteteve më të varfëra në botë, shtëpi e 15 milionë banorëve dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.

Top Channel