Italia në ngërç

26/02/2013 00:00

Zgjedhjet parlamentare në Itali kanë përfunduar në një ngërç. Me të gjitha votat e numëruara, qendra e majtë e Pier Luigi Bersani ka mundur ish-kryeministrin Silvio Berlusconi në Dhomën e Ulët, por ka dështuar të sigurojë mazhorancën në Senat.

Nga ana e tij Berlusconi u dorëzua përsa i përket Dhomës së Ulët, por kontrolli në të dyja dhomat është i nevojshëm për miratimin e qeverisë.

Lëvizja e komedianit Beppe Grillo ka fituar çerekun e vendeve të Parlamentit, ndërsa blloku i kryeministrit aktual Mario Monti u rendit i katërti me rreth 10 për qind.

Rezultatet e zgjedhjeve, që vijnë në një kohë reçesioni të thellë dhe masash të forta anti-krizë, ishte aq i afërt sa që marzhi i fitores së dhënë nga shifrat e Ministrisë së Brendshme ishte më pak se 1 për qind në të dyja dhomat e Parlamentit.

“Është e qartë për këdo se vendi po përballet me një situatë shumë delikate”, deklaroi lideri i qendrës së majtë Pier Luigi Bersani.

Ndërsa Berlusconi tha se të gjithë tani duhet të reflektojnë për veprimet që duhet të ndërmerren në të ardhmen, ndërsa theksoi se përsëritja e zgjedhjeve duhet të shmanget.

Ai shtoi se nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me bllokun qendror të Mario Montit, duke thënë se rezultati i dobët i arritur nga kryeministri tregon pakënaqësinë ndaj masave anti-krizë të ndërmarra prej tij.

Me numërimin e përfunduar, Ministria e Brendshme dha këto shifra: blloku i majtë i Bersanit 29.54 për qind të votave në Dhomën e Ulët, me një avantazh fare të lehtë ndaj 29.18 për qind të votave të siguruara nga blloku i Berlusconit.

Ndërkohë, votimet e bëra jashtë Italisë duhet ende të llogariten. Zoti Bersani fitoi gjithashtu votën kombëtare për Senatin, por nuk mundi të siguronte 158 vendet e nevojshme për mazhorancën.

Duke qenë se ulëset shtesë në Dhomën e Lartë shpërndahen në bazë të votave rajonale, qendra e djathtë e Berlusconit pritej të fitonte një numër më të lartë vendesh.

Ish-kryeministri italian ka kryesuar me fitore në tre nga katër rajonet më të mëdha të Italisë, në atë verior të Lombardisë, atë të Kampanias në qendër dhe Siçilisë në ekstremin jugor të çizmes.

Bursat ndërkombëtare dëmtohen nga ngërçi

Sondazhet fillestare të së hënës i jepnin bllokut të zotit Bersani një fitore të pastër, duke bërë që vlera e aksioneve në bursën e Milanos të ngrihej me rreth 4 për qind.

Por, teksa diferenca e rezultatit sa vinte e ngushtohej, tregjet ranë sërish. Indeksi i bursës italiane FTSE MIB ra me 4.7 për qind, ndërsa ai i Londrës me 1.5 për qind, bashkë me bursat në Frankfurt dhe Paris që ranë me 2 për qind.

Në Nju Jork, mesatarja industriale e Dow Jones ra me 1.55 për qind, ndërsa tregjet aziatike pësuan një rënie mes 0.7 dhe 2.2 për qind.

Të ardhurat nga bondet qeveritare u rritën papritur, duke lënë të kuptohet se tregjet janë më të kujdesshme për mundësinë e huadhënieve për Italinë.

Ndarja mes së majtës dhe së djathtës në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ka gjasa të shkaktojë ankth mes liderëve në vendet e tjera anëtare të BE-së.

Beppe Grillo dhe “lufta e gjeneratave”

Korrespondenti i BBC, Gavin Hewitt thotë se tani do të verifikohet një periudhë tranzicioni, me blloqet politike që do të përpiqen të formojnë një koalicion. Por, me elektoratin e ndarë, shumë besojnë se zgjedhjet do të përsëriten brenda pak muajsh.

Berlusconi, 76 vjeç, la postin në nëntor të vitit 2011, duke u përballur me akuza për keqmenaxhim ekonomik, teksa eurozona përpiqej të frenonte krizën e borxhit në Itali. Italianët kanë më shumë se një vit që drejtohen nga një qeveri teknokratësh të kryesuar nga Mario Monti.

Por përpjekjet e tij për të reduktuar shpenzimet shkaktuan pakënaqësi tek publiku dhe vendimi i tij për të garuar në bllokun qëndror në zgjedhje bëri që ai të siguronte rreth 10 për qind të votave.

“Disa mendonin se do të kishim një rezultat më të mirë, por unë jam shumë i kënaqur. Madje, ne jemi shumë të kënaqur”, tha Monti.

Me një mbështetje në rritje, Lëvizja Pesë Yjet e Beppe Grillo siguroi 25.54 për qind të votave, duke e kthyer atë në partinë më popullore në Dhomën e Ulët që garoi e vetme.

Korrespondentët thonë se ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për komikun xhenovez, turi i të cilit në mbarë vendin gjatë fushatës së zgjedhjeve, ku përdori fjalë fyese ndaj politikës klasike, rezultoi në performimin pozitiv të partisë së tij në të dyja dhomat.

“I kemi dhënë jetë një lufte gjeneratash. Ata janë të tërë dështakë, kanë në politikë 25 ose 30 vjet dhe e kanë kthyer këtë vend në katastrofë”, tha Grillo në një deklaratë audio në faqen e tij të internetit.

Duke qenë se suksesi i tij në këto zgjedhje u bë i qartë mbrëmjen e së hënës, mbështetësit e Grillos në qytetin e tij të lindjes, Xhenova, festuan deri në mëngjesin e së martës. 

Top Channel