Gaza, sulm me raketë drejt Izraelit

26/02/2013 00:00

Një raketë e qëlluar nga Rripi i Gazës ka rënë në jug të Izraelit, duke
shënuar sulmin e parë të këtij lloji që nga vendosja e armëpushimit të
nëntorit, që u dha fund luftimeve 8-ditore.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet izraelite, sipas të cilave raketa ka shkaktuar dëme në një rrugë në Ashkelon, por jo të lënduar.

Sulmi vjen pas përplasjeve në Bregun Perëndimor mes trupave izraelite dhe protestuesve palestinezë, të cilat shpërthyen në fundjavë, pasi një palestinez vdiq në një burg izraelit.

Zëdhënësi i policisë izraelite, Doron Ben Amo tha për BBC se raketa e qëlluar nga Gaza ra në një zonë industriale në Ashkelon, duke i shkaktuar shumë dëme infrastrukturës.

Deri tani nuk ka pasur një marrje përsipër të përgjegjësisë nga militantët në Gaza, ku ndërmjetësit egjiptianë ndihmuan në negocimin e armëpushimit të nëntorit.

Edhe pse niveli i dhunës në zonën ndërkufitare ka rënë ndjeshëm që nga konflikti, dy palestinezë janë qëlluar për vdekje në afërsi të kufirit, ku Izraeli ka një zonë të izoluar ku civilëve u ndalohet hyrja.

Top Channel