Egjipt, humbin jetën 19 turistë

26/02/2013 00:00

Të paktën 19 turistë, shumica e të cilëve britanikë dhe francezë, raportohet të kenë humbur jetën pasi një balonë me ajër me të cilën po udhëtonin është rrëzuar në qytetin e Luksorit, në Egjipt.

Një zjarr dhe më pas një shpërthim është dëgjuar para se balona të rrëzohej në qytetin në fjalë, në jug të vendit arab. Gazetarë nga vendi i ngjarjes deklarojnë se kanë numëruar të paktën 8 trupa.

Luksori ndodhet në brigjet e lumit Nil dhe është shtëpia e disa prej rrënojave më të famshme të epokës së faraonëve. Ai është një destinacion turistik shumë i frekuentuar.

Një përfaqësues i tetë firmave që operojnë në tregun e balonave me ajër në Luksor ka deklaruar se ka pasur një shpërthim gazi teksa balona ndodhej në 300 metra lartësi.

“Në bord ndodheshin 20 pasagjerë. Një shpërthim ndodhi dhe 19 prej tyre humbën jetën ndërsa njëri mbijetoi”, ka thënë Ahmed Aboud për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ndërkohë, Ministria britanike e Jashtme ka deklaruar për BBC se po punon në kontakt me kolegët egjiptianë për të konfirmuar nëse ka viktima në radhët e britanikëve.

Top Channel